Periudha nga muaji i 6 deri në muajin e 9 të jetës së bebit është një nga fazat më të ndjeshme për shëndetin emocional të nënës dhe lidhjen nënë-beb. Ndërsa bebi fillon të shprehë emocionet më qartë, edhe nëna përjeton ndryshime të rëndësishme emocionale që shpesh kalojnë pa u vënë re.
Nëse je nënë dhe ndonjëherë ke menduar: “Pse ndihem ende e lodhur?” ose “A është normale të kem nevojë për pak kohë për veten?”, përgjigjja është po. Këto emocione janë pjesë e natyrshme e udhëtimit tënd.
Emocionet e nënës nga muaji i 6 deri në të 9-in
Shumë nëna më tregojnë në terapi se pas muajit të gjashtë ndihen mes dy roleve: dëshirojnë të jenë pranë bebit gjatë gjithë kohës, por njëkohësisht ndiejnë nevojën të rikthejnë një pjesë të vetes.
Mund të shfaqet lodhja, mungesa e energjisë dhe ndjenja e fajit. Disa nëna ndihen në faj nëse dalin për një shëtitje pa bebin ose nëse kërkojnë ndihmën e familjarëve. Por kujdesi për veten nuk ju bën më pak nënë.
Një nënë që pushon, fle dhe kujdeset për mirëqenien e saj emocionale është më e aftë të jetë e pranishme për fëmijën e saj. Mbani mend: ju nuk keni nevojë të jeni perfekte. Keni nevojë vetëm të jeni mjaftueshëm të pranishme.
Lidhja emocionale mes nënës dhe bebit
Nga muaji i gjashtë deri në të nëntin, lidhja emocionale mes nënës dhe bebit bëhet edhe më e fortë. Bebi fillon të kërkojë më shumë praninë tuaj dhe mund të shqetësohet kur largoheni nga dhoma.
Shumë prindër habiten kur shohin se bebi qan më shpesh në mungesën e tyre. Në të vërtetë, kjo është një shenjë e bukur: bebi po mëson se ju jeni personi i tij i sigurisë.
Kur e merrni në krahë, e përqafoni ose i flisni me qetësi, ju po i jepni mesazhin më të rëndësishëm: “Ti je i sigurt me mua.”
Kur emocionet e nënës reflektohen te bebi
Bebit nuk i duhen fjalë për të kuptuar emocionet tuaja. Ai ndjen tonin e zërit, tensionin në trupin tuaj dhe mënyrën si e mbani në krahë.
Nëse jeni të lodhura ose të mbingarkuara, mos e gjykoni veten. Çdo nënë ka ditë të vështira. Nuk është e nevojshme të jeni të lumtura 24 orë në ditë.
Ka momente kur do të ndiheni të rraskapitura dhe do të mendoni se nuk po bëni mjaftueshëm. Pikërisht në ato momente, kujtojini vetes: bebi juaj nuk ka nevojë për përsosmëri, por për lidhje emocionale.
Frikërat e zakonshme të nënave
Në këtë periudhë, shumë nëna fillojnë të shqetësohen më shumë. A po rritet i lumtur? A po bëj mjaftueshëm? A do të jem gjithmonë në gjendje ta mbroj?
Këto pyetje janë të zakonshme dhe tregojnë sa shumë e doni fëmijën tuaj. Megjithatë, është e rëndësishme të mos i mbani të gjitha brenda vetes. Flisni me partnerin, me një mikeshë ose me një psikolog nëse ndiheni të mbingarkuara.
Një mesazh për cdo nënë
Në fund të ditës, bebi juaj nuk do të kujtojë lodrat që kishte apo nëse shtëpia ishte gjithmonë e rregullt. Ai do të kujtojë ndjesinë e ngrohtësisë, përqafimet dhe dashurinë që mori.
Dhe ndërsa shikoni bebin tuaj të rritet çdo ditë, mos harroni diçka shumë të rëndësishme: po rriteni edhe ju.
Sepse nga muaji i 6 deri në muajin e 9 të jetës së bebit, nuk zhvillohet vetëm ai. Lind, ngadalë dhe me shumë dashuri, edhe një version i ri i nënës.



