A të ka ndodhur ndonjëherë të të vijë një mendim i çuditshëm në kokë dhe të mos të largohet më? Sa më shumë përpiqesh ta largosh, aq më shumë të rri aty.Ndoshta fillon të të shqetësojë, të të lodhë dhe të të prishë humorin. Kjo është një situatë që shumë njerëz e përjetojnë, por shpesh nuk e kuptojnë pse ndodh.
Në psikologji, këto quhen obsesione. Në disa raste, kur obsesionet shoqërohen me rituale ose kontrollime të vazhdueshme, mund të lidhen me atë që quhet OCD (Çrregullimi Obsesiv-Kompulsiv).
Çfarë janë obsesionet?
Obsesionet janë mendime, imazhe ose impulse të përsëritura, të padëshiruara, që të futen në mendje pa ftesë. Ato zakonisht sjellin ankth, frikë, turp ose faj.
Për shembull:
- “Po sikur të sëmurem rëndë?”
- “Po sikur t’i bëj keq dikujt pa dashje?”
- “Po sikur të mos e dua vërtet partnerin tim?”
- “Po sikur të jem një njeri i keq?”
E rëndësishme është kjo: mendimi nuk është dëshirë, dhe mendimi nuk do të thotë që do të ndodhë realisht.
Si e ushqen ankthi obsesionin?
Imagjino sikur truri yt është një alarm sigurie. Ankthi është si një alarm shumë i ndjeshëm që bie edhe kur nuk ka rrezik real. Kur je i stresuar, i lodhur, i pasigurt, ose në një periudhë të vështirë, truri fillon të kërkojë “rrezik”.
Dhe kur shfaqet një mendim i frikshëm, ankthi i thotë trupit:
“Kjo është e rëndësishme! Mos e injoro!”
Kështu mendimi bëhet më i fortë, më i shpeshtë dhe më ngjitës. Ti fillon të analizosh, të kontrollosh, të kërkosh siguri, dhe pa e kuptuar hyn në një rreth vicioz:
Mendim → frikë → analizë → kontroll → lehtësim i përkohshëm → rikthim i mendimit.
Ky është pikërisht mekanizmi që shohim shpesh tek OCD, ku obsesionet shoqërohen nga kompulsionet (rituale, veprime ose mendime të përsëritura) për të ulur ankthin.
Kur obsesionet janë të pranueshme DHE kur jane te rrezikshme?
Në një masë të caktuar, obsesionet janë normale. Çdo njeri mund të ketë mendime të çuditshme, sidomos kur është i stresuar. Problemi nuk është mendimi. Problemi është si reagon ndaj tij.
Nëse mendimi vjen, të bezdis pak dhe largohet, kjo është brenda normales.
Obsesionet bëhen problem serioz kur:
- të prishin gjumin dhe qetësinë
- të marrin shumë kohë gjatë ditës
- të bëjnë të shmangësh situata ose njerëz
- të shtyjnë të bësh rituale ose kontrollime të vazhdueshme
- të prishin punën, marrëdhëniet dhe përditshmërinë
- të krijojnë ndjenjë të fortë faji, turpi apo paniku
Në këto raste, shpesh kemi të bëjmë me Çrregullimin Obsesiv-Kompulsiv (OCD), një gjendje psikologjike e trajtueshme, por që kërkon vëmendje serioze.
Çfarë mund të bësh? Këshilla si në terapi
Nëse do të ishe në zyrën time, do të të thosha diçka të thjeshtë:
mos lufto mendimin, mëso ta menaxhosh.
Ja disa hapa praktikë:
- Pranoje mendimin pa panik
Thuaji vetes: “Ky është një mendim obsesiv, jo realitet.” - Mos kërko siguri vazhdimisht
Pyetjet si “A jam normal?”, “A do të ndodhë kjo?”, “Po sikur…?” e ushqejnë OCD-në. - Mos e analizoni pa fund
Sa më shumë e analizoni, aq më shumë truri e sheh si kërcënim. - Përqendrohu tek e tashmja
Frymëmarrja e thellë, ecja, aktiviteti fizik, rutina ditore janë mënyra për të ulur ankthin. - Ekspozimi gradual (ERP)
Të mësohesh të përballesh me mendimin pa bërë ritualin. Kjo zakonisht realizohet me ndihmën e një psikologu.
Kur duhet të kërkosh ndihmë profesionale?
Nëse obsesionet zgjasin javë apo muaj, nëse të prishin jetën dhe të lodhin emocionalisht, mos prit. Trajtimi psikologjik, veçanërisht CBT dhe ERP, është shumë efektiv. Në disa raste ndihmojnë edhe medikamentet, por gjithmonë me mjek specialist.
Mos harro: ti nuk je mendimet e tua. Ti je personi që po i përjeton ato. Dhe kjo do të thotë që mund të mësosh t’i menaxhosh dhe të rikthesh kontrollin mbi jetën tënde.



