Pushimet mbaruan dhe fillimi i shkollës po afron. Por në shtëpinë tuaj ndoshta ora e gjumit është ende ajo e verës: fëmija fle vonë, zgjohet vonë, kalon më shumë kohë në telefon apo televizor dhe nuk dëshiron të dëgjojë për orare. Ndërkohë, ju mendoni: “Si do të zgjohet ky fëmijë për shkollë?”
Mos u përpiqni ta ndryshoni të gjithë rutinën brenda një nate.
Kalimi nga pushimet në shkollë është një ndryshim i vërtetë për fëmijën. Trupi dhe mendja e tij janë mësuar me një ritëm tjetër dhe kanë nevojë për pak kohë për t’u përshtatur.
1. Filloni të ndryshoni orarin e gjumit gradualisht
Nëse gjatë pushimeve fëmija ka fjetur në orën 23:30, mos prisni që papritur të flejë në 21:00.
Filloni disa ditë përpara fillimit të shkollës dhe afrojeni gradualisht orarin e gjumit. Çdo mbrëmje mund ta çoni në shtrat rreth 15–30 minuta më herët.
Po aq i rëndësishëm është edhe orari i zgjimit. Zgjimi në një orar të qëndrueshëm e ndihmon trupin të rikthejë gradualisht ritmin e gjumit.
2. Mos e ktheni gjumin në një betejë
“Shko në krevat tani!”
“Ta thashë dhjetë herë!”
“Po nuk fjete, nesër nuk ka telefon!”
Në shumë familje, këto fjali fillojnë sapo afrohet shkolla. Problemi është se sa më shumë tension krijojmë rreth gjumit, aq më shumë fëmija mund ta lidhë shtratin me konfliktin.
Në vend të kërcënimit, krijoni një rutinë të qetë para gjumit: dush, larje dhëmbësh, përgatitja e rrobave për nesër, një libër dhe më pas gjumë. Një rutinë e parashikueshme e ndihmon fëmijën të kuptojë se dita po mbyllet.
3. Kufizoni telefonin, tabletin dhe televizorin në mbrëmje
Një nga pengesat më të mëdha për gjumin e fëmijëve është përdorimi i ekraneve deri në momentin e fundit.
Vendosni një rregull familjar: telefonat, tabletët dhe lojërat elektronike mbyllen para gjumit. Pajisjet mund të qëndrojnë jashtë dhomës së fëmijës gjatë natës.
Mos e paraqisni këtë si dënim. Shpjegojini: “Truri yt ka nevojë të qetësohet që nesër të kesh energji për shkollën.”
4.Riktheni jo vetëm gjumin, por gjithë rutinën
Rutina para fillimit të shkollës nuk është vetëm ora e gjumit. Gjatë ditëve të fundit të pushimeve, përpiquni të riktheni gradualisht edhe orarin e zgjimit, mëngjesin, vaktet, kohën e lojës dhe momentet e qeta gjatë ditës.
Nëse gjatë verës fëmija është zgjuar në orën 10:00, ka ngrënë kur ka dashur dhe ka luajtur deri vonë, mos prisni që trupi i tij të përshtatet menjëherë me ritmin e shkollës. Filloni disa ditë më herët: zgjojeni pak më herët çdo mëngjes, vendosni vaktet në orare më të rregullta dhe krijoni një ritëm më të qetë në mbrëmje.
Fëmijët ndihen më të sigurt kur e dinë çfarë do të ndodhë më pas. Prandaj, mund të krijoni së bashku një rutinë të thjeshtë për ditët para shkollës:
Zgjimi → mëngjesi → aktivitetet e ditës → dreka → pushimi → loja ose leximi → darka → rutinë e qetë e mbrëmjes → gjumi.
Kështu, kur të vijë dita e parë e shkollës, ndryshimi nuk do të jetë i menjëhershëm. Trupi dhe mendja e fëmijës do të kenë filluar tashmë të përshtaten me rutinën e re.
5. Përfshijeni fëmijën në proces
Në vend që rutina të tingëllojë si një listë urdhrash, pyeteni: “Çfarë mund të bëjmë që mëngjeset të jenë më të lehta për ty?”
Lëreni të zgjedhë çantën, rrobat për ditën e parë, librin që do të lexojë para gjumit ose mënyrën si do të organizojë tavolinën.
Kur fëmija përfshihet në vendimmarrje, bashkëpunimi bëhet më i lehtë.
Mos kërkoni perfeksion që ditën e parë
Nëse fëmija ankohet, nuk do të thotë se rutina nuk po funksionon. Ai thjesht po përshtatet me një ndryshim.
Qëllimi nuk është të krijojmë një fillim shkolle pa asnjë kundërshtim, por një tranzicion me sa më pak stres dhe konflikte.
Gjumi i mirë, rutina e qëndrueshme dhe qetësia emocionale e ndihmojnë fëmijën të ketë më shumë energji, përqendrim, kujtesë dhe kontroll emocional në shkollë. Prandaj, para se të shqetësohemi vetëm për librat dhe çantën, le të përgatisim edhe trupin dhe mendjen e fëmijës për rikthimin në shkollë.


