Për shumë prindër, dita e parë e kopshtit është një moment i bukur, por edhe emocionalisht i vështirë. Fëmija hyn në një ambient të ri, takon njerëz të rinj dhe, për herë të parë, duhet të qëndrojë disa orë larg nënës ose babait. Në këtë moment shfaqet shpesh ankthi i ndarjes, i cili mund të shoqërohet me të qarë, kapje pas prindit, frikë, refuzim për të hyrë në kopsht ose kërkesa të vazhdueshme: “Mos ik, mami!”
Si psikolog, dua t’ju them diçka që ua them shpesh prindërve: të qarat e fëmijës nuk do të thotë se po bëni diçka gabim. Ndarja mund të jetë e vështirë pikërisht sepse fëmija ka krijuar një lidhje të fortë emocionale me ju. Ankthi i ndarjes është pjesë e zhvillimit emocional të shumë fëmijëve dhe mund të shfaqet edhe gjatë viteve të kopshtit.
Si ta përgatisim fëmijën emocionalisht për kopshtin?
Përgatitja e fëmijës nuk fillon mëngjesin e ditës së parë. Ajo fillon disa ditë ose javë më herët.
Flisni me fëmijën për kopshtin me qetësi. Tregojini ku do të shkojë, çfarë do të bëjë, kush do të kujdeset për të dhe kur do të ktheheni. Nëse është e mundur, vizitoni më parë kopshtin dhe njiheni me edukatoren. Kjo e ndihmon fëmijën ta shohë ambientin e ri si diçka më të njohur dhe më pak kërcënuese.
Mund t’i thoni:
“E di që mund të ndihesh pak i frikësuar. Është hera e parë që do të rrish pa mamin. Unë do të iki, por do të kthehem pas drekës. Ti do të jesh i sigurt.”
Mos i thoni: “Mos qaj!”, “Je i madh tani!” ose “Nuk ka pse të kesh frikë.” Kur minimizojmë emocionin e fëmijës, ai mund të ndihet sikur ndjenja e tij është e gabuar. Në vend të kësaj, pranojeni emocionin dhe jepini siguri.
Çfarë të bëjmë kur fëmija qan në kopsht?
Ky është momenti që i vë më shumë në provë prindërit.
Fëmija mund të qajë, të kapet pas jush dhe të kërkojë të mos largoheni. Përqafoni, dëgjojeni dhe tregojini se e kuptoni. Pastaj krijoni një ritual të shkurtër dhe të qëndrueshëm ndarjeje: një përqafim, një puthje dhe një fjali të njëjtë çdo ditë.
Për shembull:
“Mami të do shumë. Tani do të shkosh të luash. Unë do të kthehem pas gjumit.”
Mos e zgjasni pafundësisht lamtumirën dhe mos u largoni fshehurazi. Një rutinë e parashikueshme dhe një ndarje e shkurtër mund ta ndihmojnë fëmijën të ndërtojë gradualisht besim dhe pavarësi.
Edhe prindi duhet të përgatitet
Ndonjëherë nuk është vetëm fëmija që ka frikë nga ndarja. Edhe nëna mund të ndihet fajtore, e shqetësuar ose të mendojë: “Po sikur të vuajë pa mua?”
Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj gjendjes emocionale të prindit. Prandaj, përpiquni t’i transmetoni një mesazh të qartë:
“Ti mund ta përballosh këtë. Unë të besoj. Dhe unë do të kthehem.”
Kopshti nuk është humbje e lidhjes me nënën. Përkundrazi, është një mundësi që fëmija të mësojë gradualisht se mund të largohet nga prindi, të krijojë marrëdhënie të reja, të eksplorojë botën dhe përsëri të rikthehet te figura e tij e sigurisë.
Mos kërkoni përshtatje të menjëhershme
Çdo fëmijë ka temperamentin dhe ritmin e vet. Disa fëmijë përshtaten shpejt, ndërsa të tjerë kanë nevojë për më shumë kohë dhe përgatitje. Praktikimi i ndarjeve të shkurtra përpara fillimit të kopshtit mund të jetë një mënyrë e dobishme për ta mësuar fëmijën gradualisht me largimin dhe rikthimin e prindit.
Prandaj, nëse fëmija juaj qan ditën e parë, mos mendoni menjëherë: “Nuk është gati për kopsht.”
Mund të jetë thjesht duke mësuar një aftësi të re: si të ndihet i sigurt edhe kur mami nuk është pranë.
Dhe kjo, në fund të fundit, është një nga hapat e parë drejt pavarësisë emocionale.
Librat e sygjeruar
Shendeti psiko-emocional i femijeve
Truri i femijes u shpjegohet prinderve
Te njohim dhe kuptojme emocionet tona




