Cila eshte mosha ideale per te nisur cerdhen? Cfare duhet te dine prinderit

“Kur duhet ta çoj fëmijën në çerdhe? Në 1 vjeç, 2 vjeç apo duhet të pres deri në 3 vjeç?”

Kjo është një pyetje që shqetëson shumë prindër. Nëse do të më duhej t’ju jepja një përgjigje praktike si psikolog, do të thosha: nëse keni mundësi të zgjidhni, mos u nxitoni ta çoni fëmijën shumë herët në çerdhe vetëm për ta “socializuar”. Rreth moshës 2–3 vjeç, për shumë fëmijë një çerdhe cilësore fillon të ofrojë më shumë mundësi për gjuhën, lojën, autonominë dhe ndërveprimin social.

Por çfarë ndodh përpara kësaj moshe? Le ta shohim hap pas hapi.

0–12 muaj: foshnja ka nevojë për kujdes individual dhe të qëndrueshëm

Në vitin e parë, nevoja kryesore e foshnjës nuk është socializimi me fëmijë të tjerë. Ajo ka nevojë kryesisht për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të ngrohtë me prinderit.

Foshnja po mëson diçka themelore: “Kur kam nevojë, a vjen dikush tek unë?”

Sa herë që foshnja qan dhe nëna e qetëson, buzëqesh apo belbëzon dhe dëgjon zërin e mamit ose babit, ajo ndërton gradualisht ndjenjën e sigurisë dhe lidhjen emocionale me prindërit, ndërsa njëkohësisht stimulohet edhe zhvillimi i trurit.

Në këtë periudhë po formohen edhe lidhjet e para të atashimit. Foshnja ka nevojë për përqafime, komunikim, lojë, kontakt, rutina dhe përgjigje të vazhdueshme ndaj nevojave të saj.

A duhet çerdhja? Nëse familja mund të sigurojë kujdes të mirë dhe të qëndrueshëm në shtëpi, nuk ka arsye ta nisë çerdhen nën 1 vjeç vetëm për socializim apo për ta bërë më të pavarur.

Nëse çerdhja është e nevojshme, kërkoni pak fëmijë për kujdestar, staf të qëndrueshëm, shumë kontakt individual dhe përgjigje të shpejtë ndaj nevojave të foshnjës.

12–18 muaj: ecën larg jush, por emocionalisht ka ende shumë nevojë për ju

Fëmija tashmë eksploron shumë më tepër. Mund të ecë, prek gjithçka, imiton të rriturit, kupton më shumë fjalë dhe gradualisht fillon të komunikojë.

Por mos e ngatërroni pavarësinë fizike me pavarësinë emocionale.

Fëmija mund të largohet nga ju për të eksploruar dhomën dhe pas pak të kthehet për kontakt dhe siguri. Ju vazhdoni të jeni “baza e sigurt” nga e cila ai eksploron botën.

Gjithashtu, periudha 12–24 muaj mund të shoqërohet me ankth të fortë të ndarjes. Prandaj fëmija mund të qajë kur prindi largohet, të kapet pas tij ose të protestojë gjatë ndarjes.

A duhet çerdhja? Nëse keni mundësi të zgjidhni, nuk ka nevojë ta nisni çerdhen në 12–18 muaj vetëm që “të mësohet pa mamin” apo të socializohet.

Nëse duhet të fillojë, përshtatja duhet të jetë sa më e butë dhe graduale.

18–24 muaj: mund të fillojë gradualisht

Tani fëmija po bëhet gjithnjë e më aktiv dhe autonom. Gjuha zhvillohet, imitimi shtohet dhe interesi për njerëzit dhe fëmijët e tjerë rritet.

Megjithatë, ai vazhdon të ketë nevojë për të rritur të qëndrueshëm dhe ankthi i ndarjes nga prindi mund të jetë ende i pranishëm.

A duhet çerdhja? Në këtë periudhë, çerdhja mund të fillojë gradualisht, sidomos nëse familja e dëshiron ose ka nevojë për të.

Nëse është e mundur, filloni me qëndrime më të shkurtra. Mos u largoni fshehurazi. Përshëndeteni fëmijën dhe krijoni një ritual të vogël ndarjeje.

2–3 vjeç: një periudhë shumë e përshtatshme për shumë fëmijë

Rreth moshës 2 vjeç fillojmë të shohim ndryshime të rëndësishme.

Fëmija zhvillon me shpejtësi gjuhën, autonominë, komunikimin, imitimin dhe interesin për fëmijët e tjerë. Loja dhe eksplorimi bëhen gjithnjë e më komplekse.

Në këtë fazë, një çerdhe cilësore mund të ofrojë aktivitete që e stimulojnë: tregime, këngë, vizatim, lojë, lëvizje, komunikim, rutina dhe ndërveprime me bashkëmoshatarët.

A duhet çerdhja? Nëse familja ka mundësi të zgjedhë, rreth moshës 2–3 vjeç është një periudhë shumë e përshtatshme për shumë fëmijë për të filluar çerdhen.

Kjo nuk do të thotë se ditën kur mbush 2 vjeç fëmija papritur “është gati”. Zhvillimi është gradual dhe çdo fëmijë ka ritmin e tij.

3 vjeç e lart: eksperiencat sociale marrin më shumë rëndësi

Pas moshës 3 vjeç, loja me fëmijët e tjerë bëhet gjithnjë e më sociale.

Fëmija mëson të komunikojë, të presë radhën, të ndajë hapësirën dhe lodrat, të krijojë marrëdhënie dhe të menaxhojë konfliktet e vogla.

Prandaj, në këtë fazë kontaktet e rregullta me bashkëmoshatarët dhe aktivitetet edukative në grup bëhen gjithnjë e më të vlefshme.

 

Dhe mbani mend: mosha e duhur nuk e kompenson një çerdhe të dobët.

Shikoni sa fëmijë ka për edukatore, si reagojnë edukatoret kur fëmija qan, sa të qëndrueshme janë ato, çfarë aktivitetesh zhvillojnë dhe nëse respektohen nevojat individuale të fëmijës.

Prandaj, mos pyesni vetëm “Në çfarë moshe duhet ta çoj fëmijën në çerdhe?” Pyesni edhe: “A është kjo çerdhe mjedisi i duhur për zhvillimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijës tim?”

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Në Libra Psikologjikë do të gjeni artikuj të shkruar nga unë si psikolog, me këshilla praktike dhe tema të rëndësishme për shëndetin mendor, ankthin, stresin, marrëdhëniet dhe zhvillimin personal. Çdo blog krijohet me kujdes për të ndihmuar lexuesit të kuptojnë më mirë veten, emocionet dhe sfidat e përditshme. Qëllimi im është të ndaj njohuri profesionale në një mënyrë të thjeshtë, të ngrohtë dhe të dobishme, që secili të ndjejë mbështetje dhe motivim për të përmirësuar jetën e tij.

Postimet me te fundit

  • All Post
  • Adoleshentet
  • Ankthi
  • Bullizmi
  • Dashuria
  • Depresioni
  • Divorci/Femijet
  • Familja
  • Femrat
  • Gjumi
  • Keshilla per jeten
  • Marredheniet ne cift
  • Mendimet
  • Motivim/Vetebesim
  • Obsesionet
  • Personaliteti
  • Prinderim/Edukim
  • Psikologjia speciale
  • Shkolla/Studimet
  • Shtatezania
  • STRESI

Lexo per te ndertuar veten!

Kategorite

© 2026 All rights reserved

Na ndiqni gjithashtu në rrjetet tona sociale: