Shumë nëna e njohin këtë skenë: duhet të shkosh në punë, por sapo fëmija kupton se po përgatitesh për të dalë, fillon të qajë, të të kapë pas këmbëve dhe të kërkojë të mos ikësh. Çfarë bën? Pret që të shpërqendrohet dhe largohesh fshehurazi nga fëmija.
Në atë moment duket si zgjidhja më e lehtë. Fëmija nuk të sheh duke ikur dhe ti shmang të qarat. Por nga këndvështrimi i psikologjisë së fëmijës, situata mund të përjetohet ndryshe.
Çfarë ndjen fëmija kur nëna largohet fshehurazi?
Mendoje për një moment nga këndvështrimi i fëmijës. Pak më parë mami ishte aty. Pas disa minutash, ai e kërkon dhe mami nuk është më.
Sidomos në moshat e vogla, fëmija ende po mëson një koncept shumë të rëndësishëm: mami largohet, por mami kthehet.
Prandaj, largimi pa e përshëndetur mund ta bëjë ndarjen më pak të parashikueshme. Fëmija mund të fillojë të kontrollojë më shpesh nëse nëna është aty ose të bëhet më i kapur pas saj. Kjo nuk do të thotë se një largim i fshehtë i shkakton automatikisht traumë. Megjithatë, kur përsëritet, nuk e ndihmon fëmijën të mësojë një mënyrë të qetë dhe të parashikueshme të ndarjes.
“Por nëse i them që po iki, qan!”
Këtë fjali e dëgjoj shpesh nga prindërit.
Dhe këtu do të të thosha si në një seancë këshillimi: mos e mat suksesin e ndarjes vetëm nga fakti nëse fëmija qan apo jo.
Të qarat kur nëna largohet mund të jenë pjesë normale e ankthit të ndarjes tek fëmijët. Fëmija qan sepse nuk dëshiron të ndahet nga personi që i jep siguri. Me kalimin e kohës, ai duhet të mësojë se ndarja është e përkohshme.
Pra, qëllimi nuk është: “Si të iki pa qarë fëmija?”
Qëllimi është: “Si ta ndihmoj fëmijën të ndihet i sigurt edhe kur unë largohem?”
Çfarë duhet të bësh para se të shkosh në punë?
Krijo një ritual të shkurtër të ndarjes dhe përsërite çdo ditë.
Mund të ulesh pranë fëmijës, ta përqafosh dhe t’i thuash: “Mami po shkon në punë. Ti do të rrish me gjyshen. Pasdite mami do të kthehet dhe do të jemi përsëri bashkë.”
Më pas jepi një puthje, thuaji “mirupafshim” dhe largohu.
Mos e zgjas shumë momentin. Gjithashtu, përpiqu të mos kthehesh disa herë te dera vetëm sepse fëmija qan. Qetësia, rutina dhe qëndrueshmëria e prindit e ndihmojnë fëmijën të kuptojë gradualisht se largimi nuk do të thotë braktisje.
Mund të praktikoni edhe ndarje të shkurtra, ta lini me një person të njohur dhe t’i tregoni në mënyrë të thjeshtë kur do të ktheheni.
Fëmija ka nevojë të mësojë se ti kthehesh
Çdo ditë që i thua “mami do të kthehet” dhe më pas kthehesh, fëmija fiton një përvojë të rëndësishme sigurie.
Ai mëson gradualisht: Mami mund të largohet. Unë mund të mërzitem. Por jam i sigurt dhe mami kthehet.
Prandaj, nëse deri tani ke ikur fshehurazi për të shmangur të qarat, mos e shiko veten si një nënë që ka bërë diçka të tmerrshme. Thjesht provo një mënyrë tjetër. Përshëndete fëmijën, thuaji ku po shkon, siguroje se do të kthehesh dhe mbaje premtimin.
Sepse për zhvillimin emocional të fëmijës nuk ka rëndësi vetëm të shmangim lotët e momentit. Ka rëndësi të ndërtojmë besim, siguri emocionale, pavarësi dhe një marrëdhënie të qëndrueshme prind-fëmijë.
Per me shume klikoni ketu




