Vetëvlerësimi është mënyra si ne e shohim dhe e trajtojmë veten. Ai ndikon tek mendimet tona, marrëdhëniet, vendimet dhe mënyra si përballemi me vështirësitë e jetës. Kur një person ka vetëvlerësim të shëndetshëm, ndihet më i sigurt, më i qetë emocionalisht dhe më i aftë për të vendosur kufij të shëndetshëm. Kur vetëvlerësimi është i ulët, shpesh shfaqen ankthi, pasiguria, vetëkritika dhe nevoja e vazhdueshme për aprovimin e të tjerëve.
Shumë njerëz mendojnë se vetëvlerësimi lidhet vetëm me suksesin apo pamjen fizike, por në realitet ai ndërtohet nga mënyra si flasim me veten çdo ditë.
Si kuptohet që vetëvlerësimi është i ulët?
Disa shenja të zakonshme janë:
- Dyshon vazhdimisht tek vetja
- Ndihesh “jo mjaftueshëm”
- Krahason veten me të tjerët
- Ke frikë të thuash “jo”
- Kërkon vazhdimisht miratim
- Vetëkritikohesh për gabime të vogla
- Mendon më shumë për atë që nuk ke sesa për vlerat e tua
Këto mendime, me kalimin e kohës, lodhin emocionalisht personin dhe ndikojnë në marrëdhënie, punë dhe mirëqenie psikologjike.
Si ta ndërtojmë vetëvlerësimin?
Vetëvlerësimi nuk ndryshon brenda natës. Ai ndërtohet me hapa të vegjël dhe të vazhdueshëm. Si psikolog, një nga gjërat që i them shpesh një personi është: mos prit të ndihesh perfekt për të filluar ta respektosh veten.
1. Ndrysho mënyrën si flet me veten
Shumë njerëz i flasin vetes me ashpërsi:
“Jam dështim.”
“Nuk bëj asgjë mirë.”
Pyete veten: a do t’i flisje kështu një personi që do? Nëse jo, mos ia bëj as vetes. Filloni të përdorni fjali më reale dhe më të buta:
“Po përpiqem.”
“Mund të gaboj dhe përsëri të kem vlerë.”
2. Mos e krahaso jetën tënde me të tjerët
Krahasimi është një nga armiqtë më të mëdhenj të vetëvlerësimit. Çdo person ka ritmin, historinë dhe vështirësitë e veta. Rrjetet sociale shpesh tregojnë vetëm pjesën më të bukur të jetës së dikujt, jo realitetin e plotë.
Fokuso energjinë tek përmirësimi i vetes, jo tek gara me të tjerët.
3. Vendos kufij të shëndetshëm
Një person me vetëvlerësim të ulët shpesh pranon gjëra që e lëndojnë vetëm për të mos humbur njerëzit. Të thuash “jo” nuk të bën egoist. Të mbron emocionalisht.
Respekti për veten fillon kur ndalon së toleruari sjellje që të dëmtojnë.
4. Vlerëso arritjet e vogla
Mos prit vetëm momentet e mëdha për t’u ndjerë krenar për veten. Edhe hapat e vegjël kanë rëndësi:
- u zgjove edhe pse ishe i lodhur
- përfundove një detyrë
- u përpoqe të menaxhoje emocionet
Vetëvlerësimi rritet kur fillon të pranosh progresin tënd.
5. Kujdesu për veten emocionalisht dhe fizikisht
Gjumi, aktiviteti fizik, komunikimi i shëndetshëm dhe koha për veten ndikojnë drejtpërdrejt tek mënyra si ndihemi. Kur neglizhojmë veten për një kohë të gjatë, fillojmë të ndihemi pa vlerë edhe emocionalisht.
Kujdesi për veten nuk është luks. Është nevojë psikologjike.
Pse vetëvlerësimi është kaq i rëndësishëm?
Sepse mënyra si e shohim veten ndikon në çdo pjesë të jetës sonë. Një vetëvlerësim i shëndetshëm na ndihmon:
- të krijojmë marrëdhënie më të mira
- të menaxhojmë më mirë stresin
- të marrim vendime më të qarta
- të kemi më shumë qetësi emocionale
Njeriu që fillon të respektojë veten, gradualisht fillon të kërkojë më shumë qetësi, reciprocitet dhe mirëqenie në jetën e tij. Dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt shëndetit emocional.



