Si psikolog që punoj çdo ditë me familje dhe fëmijë, po vërej gjithnjë e më shpesh një problem që po bëhet serioz: koha e tepërt në telefon, tablet, video lojëra dhe televizor po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin emocional, social dhe kognitiv të fëmijëve.
Fëmijët sot po rriten në një botë digjitale, por kur koha e ekranit nuk kontrollohet, ajo kthehet në varësi dhe fillon të zëvendësojë lojën reale, komunikimin familjar dhe aktivitetet e shëndetshme.
Si ndikon telefoni te zhvillimi i fëmijës?
Kur një fëmijë kalon shumë orë me telefon:
- ulet përqendrimi dhe vëmendja
- dobësohet komunikimi me prindërit dhe bashkëmoshatarët
- rritet irritimi dhe shpërthimet emocionale
- ndikohet gjumi dhe rutina ditore
- ulët aktiviteti fizik dhe kreativiteti
Ky nuk është thjesht “zakon i keq”, por shpesh shndërrohet në varësi nga telefoni, e cila ndikon në zhvillimin e trurit të fëmijës.
Shtojmë edhe nje fakt, që shpesh neglizhohet nga prindërit:
Emocionet e fëmijës kur i hiqet telefoni.
Shumë fëmijë reagojnë me zemërim, të qara ose mbyllje në vetvete kur u kufizohet koha e ekranit. Kjo nuk duhet parë si “kokëfortësi”, por si një reaksion i varësisë emocionale ndaj stimulimit të shpejtë që jep telefoni. Në këto momente, prindi duhet të jetë i qetë, i durueshëm dhe i qëndrueshëm, jo i ashpër.
Është shumë e rëndësishme që prindi të mos dorëzohet përballë këtyre reagimeve, por të qëndrojë i fortë dhe i dashur njëkohësisht. Kjo ndërton disiplinë emocionale tek fëmija dhe e ndihmon të mësojë të përballojë frustrimin në mënyrë të shëndetshme.
Në afat të gjatë, këto kufij i japin fëmijës siguri, stabilitet dhe një zhvillim më të shëndetshëm psikologjik.
7 hapa praktikë për prindërit
1. Vendosni kufij të qartë për kohën e ekranit
Përcaktoni orare fikse: p.sh. 1–2 orë në ditë maksimumi. Rregulli duhet të jetë i qëndrueshëm.
2. Mos përdorni telefonin si shpërblim ose ndëshkim
Kjo e rrit lidhjen emocionale me pajisjen dhe e bën më të dëshirueshme.
3. Krijoni zona pa telefona në shtëpi
Si tavolina e ngrënies dhe dhoma e gjumit. Kjo forcon komunikimin familjar.
4. Zëvendësoni ekranin me aktivitete reale
Lojëra në natyrë, sport, vizatim, libra ose kohë me familjen. Këto janë thelbësore për zhvillimin e fëmijës.
5. Bëhuni shembull për fëmijën tuaj
Nëse prindi është gjithmonë në telefon, fëmija e kopjon këtë sjellje. Prindërimi i shëndetshëm fillon me modelin që japim.
6. Flisni me fëmijën, jo vetëm t’i hiqni telefonin
Shpjegoni pse koha e tepërt në telefon është e dëmshme, në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme.
7. Krijoni rutina ditore të shëndetshme
Orar gjumi, ushqim, lojë dhe mësim të strukturuar. Rutina ul varësinë nga pajisjet digjitale.
Mesazh për prindërit
Fëmijët nuk kanë nevojë për një botë perfekte, por për prindër të pranishëm. Koha cilësore me fëmijën është më e vlefshme se çdo aplikacion apo video lojë.
Nëse nuk vendosim kufij sot, nesër do të përballemi me fëmijë më të distancuar emocionalisht, më pak të përqendruar dhe më të varur nga teknologjia.
Prindërimi i vetëdijshëm fillon me një hap të vogël: ulni kohën e ekranit dhe rrisni kohën e lidhjes reale me fëmijën tuaj.



