“Psikolog, nuk po e kuptoj çfarë po më ndodh. Ndonjëherë ndihem mirë dhe papritur bëhem e irrituar, qaj pa ndonjë arsye të madhe ose ndihem sikur nuk jam më vetvetja.”

Kjo është një përvojë që shumë gra mund ta përjetojnë gjatë perimenopauzës dhe menopauzës. Dhe gjëja e parë që do t’i thosha një gruaje është: ajo që po përjeton nuk duhet minimizuar. Menopauza nuk është vetëm fundi i menstruacioneve. Është një periudhë ndryshimesh fizike, hormonale, emocionale dhe psikologjike. Ndryshimet hormonale mund të ndikojnë në mënyrën se si ndihemi, flemë, mendojmë dhe reagojmë ndaj stresit.

Pse ndryshon humori gjatë menopauzës?

Gjatë menopauzës dhe sidomos gjatë perimenopauzës(periudha para menopauzes), nivelet e hormoneve ndryshojnë. Këto ndryshime mund të shoqërohen me luhatje humori, irritim, ankth, trishtim, lodhje, vështirësi në përqendrim dhe probleme me gjumin.

Por emocionet nuk varen vetëm nga hormonet. Në këtë periudhë një grua mund të përballet njëkohësisht me shumë ndryshime: fëmijët mund të largohen nga shtëpia, marrëdhënia në çift mund të ndryshojë, mund të ketë shqetësime për trupin, moshën, punën, prindërit që plaken apo të ardhmen. Prandaj,  nuk do të shikojme vetëm pyetjen: “Çfarë po ndodh me hormonet?”, por edhe: “Çfarë po ndodh me ty dhe me jetën tënde?”

“Nuk po e njoh më veten”

Një nga përjetimet më të dhimbshme mund të jetë ndjenja e humbjes së vetes.

Ndryshimet në trup, shtimi në peshë, afshet e nxehta, pagjumësia ose ulja e dëshirës seksuale mund të ndikojnë në vetëvlerësim dhe imazhin për trupin. Mund të shfaqen mendime si: “Trupi im nuk është më si më parë.” “Po plakem.” “Nuk ndihem më tërheqëse.” “Nuk kam më të njëjtën energji.”

Grate nuk duhet te  përpiqen thjesht t'i largojne këto mendime. Përkundrazi, te perpiqen ti kuptojne ato. Çfarë po të bëjnë të ndjesh? Nga vijnë? Dhe sa ndikojnë në mënyrën se si e sheh veten?

Në këtë mënyrë, gradualisht mund të ndërtohet një marrëdhënie më e butë me veten dhe me trupin.

Menopauza dhe ankthi

Ankthi gjatë menopauzës mund të shfaqet në forma të ndryshme. Disa gra ndihen vazhdimisht të shqetësuara. Të tjera bëhen më nervoze ose e kanë më të vështirë të qetësohen. Ndonjëherë mund të shfaqet edhe ndjesia se diçka e keqe do të ndodhë, edhe kur nuk ka një arsye të qartë. Për më tepër, problemet me gjumin mund ta bëjnë ankthin dhe lodhjen edhe më të vështira për t'u përballuar.

Çfarë mund të bësh për ta përballuar më mirë menopauzën?

Fillimisht, përpiqu të mos luftosh çdo ndryshim që po ndodh. Në vend të kësaj, dëgjo trupin tënd. Vëzhgo gjumin, humorin, ankthin dhe energjinë. Gjithashtu, fol me njerëzit që i beson dhe mos i mbaj të gjitha emocionet vetëm për vete. Në këtë mënyrë, menopauza nuk shihet vetëm si një periudhë simptomash. Ajo mund të bëhet edhe një mundësi për të kuptuar më mirë veten dhe nevojat e tua.

Nuk ke pse ta kalosh vetëm

Në fund, dua të të them diçka te rendesishme: Menopauza nuk është humbja e gruas që ke qenë. Është një periudhë ndryshimi në të cilën po mëson të njohësh një version të ri të vetes. Prandaj, nëse kohët e fundit ndihesh më e irrituar, më e lodhur, më e ndjeshme ose thjesht “ndryshe”, mos e gjyko veten. Nuk je duke u bërë një person tjetër. Po kalon një ndryshim të madh dhe ke nevojë ta kuptosh veten me më shumë butësi. Per kete mund te te vije ne ndihme dhe libri “Menopauza” nga Davina McCall sepse e e trajton temën në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshme.