Shpesh dëgjojmë shprehjen: “Njeriu nuk ndryshon.” Ndoshta edhe ti ke menduar se personaliteti formohet në fëmijëri dhe më pas mbetet i njëjtë përgjithmonë. Por psikologjia na tregon një histori më interesante: personaliteti mund të ndryshojë me kalimin e viteve. Ai ka një pjesë të qëndrueshme, por nuk është plotësisht i pandryshueshëm. Studimet afatgjata tregojnë se tiparet e personalitetit mund të zhvillohen gjatë gjithë jetës.

Çfarë është personaliteti?

Personaliteti është mënyra karakteristike se si mendojmë, ndiejmë dhe sillemi. Ai ndikon në mënyrën si krijojmë marrëdhënie, si përballojmë stresin, si marrim vendime dhe si reagojmë ndaj problemeve.

Pse ndryshon personaliteti me kalimin e viteve?

Nëse do të ishe ulur përballë meje dhe do të më thoshe: “Unë kam qenë gjithmonë kështu”, do të të pyesja: A je vërtet i njëjti person që ishe 10 apo 20 vite më parë? Mendo për mënyrën si reagoje dikur ndaj kritikave, konflikteve, ndarjeve apo dështimeve. Për shumë njerëz, përgjigjja ndryshon me kalimin e kohës. Përvojat e jetës, familja, marrëdhëniet, puna, prindërimi, humbjet, sukseset, traumat dhe sfidat emocionale mund të ndikojnë në zhvillimin e personalitetit. Gjithashtu, ndërsa rritemi, mund të mësojmë të kontrollojmë më mirë emocionet dhe të kuptojmë më qartë veten. Studimet kanë gjetur se, mesatarisht, gjatë zhvillimit njerëzit mund të bëhen më të pjekur në disa tipare, përfshirë rritjen e stabilitetit emocional dhe të ndërgjegjshmërisë në periudha të caktuara të jetës.

Këshilla për të ndryshuar dhe zhvilluar personalitetin

Ndryshimi i personalitetit zakonisht nuk ndodh brenda natës. Ai kërkon kohë, përsëritje dhe përvoja të reja. Madje, një analizë e studimeve mbi ndërhyrjet psikologjike ka gjetur ndryshime të matshme në tiparet e personalitetit pas ndërhyrjeve, me disa ndryshime që vazhdonin edhe më pas. Për shembull, një person shumë impulsiv mund të mësojë të ndalet para se të reagojë. Një person që shmang konfliktet mund të mësojë të vendosë kufij të shëndetshëm. Dikush që përjeton pasiguri mund të punojë me vetëbesimin dhe vetëvlerësimin. Me kalimin e kohës, këto sjellje të përsëritura mund të bëhen pjesë më e qëndrueshme e mënyrës së tij të funksionimit.

Disa keshilla konkrete

  • Vëzhgo reagimet e tua – kushto vëmendje mënyrës si reagon ndaj kritikave, konflikteve, stresit dhe zhgënjimeve.
  • Përcakto çfarë dëshiron të ndryshosh – zgjidh një tipar ose sjellje konkrete, jo të gjithë personalitetin njëherësh.
  • Fillo me hapa të vegjël – nëse je impulsiv, prit disa sekonda para se të reagosh ose të përgjigjesh.
  • Mëso të vendosësh kufij – praktiko të thuash “jo” kur diçka të lodh, të dëmton ose nuk të përshtatet.
  • Sfido mendimet negative – pyet veten: “A është vërtet kështu, apo po e shoh situatën më negativisht seç është?”
  • Dil gradualisht nga zona e rehatisë – provo situata dhe përvoja të reja që të ndihmojnë të zhvillosh vetëbesimin.
  • Prano gabimet dhe mëso prej tyre – në vend që të fajësosh veten, pyet: “Çfarë mund të bëj ndryshe herën tjetër?”
  • Kërko mendimin e njerëzve që u beson – ndonjëherë të tjerët dallojnë modele sjelljeje që ne nuk i vëmë re.
  • Përsërit sjelljet e reja – ndryshimi i personalitetit kërkon kohë, praktikë dhe vazhdimësi.
  • Kërko ndihmë profesionale kur është e nevojshme – një psikolog mund të të ndihmojë të kuptosh modelet e vjetra dhe të ndërtosh mënyra më të shëndetshme të mendimit, emocioneve dhe sjelljes.
Në fund, pyetja nuk është vetëm: “A mund të ndryshojë personaliteti?” Pyetja më e dobishme është: “Cilën pjesë të vetes dua të zhvilloj?” Sepse personaliteti nuk është një histori që shkruhet vetëm në fëmijëri. Ai vazhdon të formohet, të përshtatet dhe të zhvillohet së bashku me ne.